Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, i ftuar në “Programin e Drekës” në News24, ka deklaruar se dëgjesat publike që po zhvillohen nëpër qarqe po nxjerrin në dritë pakënaqësi të mëdha mbi ndarjen aktuale administrative.
Sipas tij, dështimi i reformës së vitit 2014 po pranohet hapur tashmë edhe nga përfaqësues të vetë mazhorancës socialiste në terren.
Boçi veçoi qëndrimin e prerë të Kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili është rreshtuar kundër planeve apo mundësive për shkrirjen e bashkive të vogla e të mesme.
“Ka qenë i ashpër zoti Zotkaj. Ka shprehur shumë të vërteta, gjë që rrallë ndodh në ambientet tona politike, sidomos kur vijnë nga mazhoranca. Ai ka shprehur dështimin e reformës së vitit 2014 dhe ka kërkuar që Poliçani të qëndrojë si bashki më vete”, – u shpreh Boçi.
Nënkryetari i PD-së shtoi se kërkesat e qytetarëve për të pasur bashkitë e tyre janë legjitime, pasi largimi i shërbimeve nga zonat e tyre rrit rrezikun e braktisjes definitive të provincave.
Ai nënvizoi se misioni kryesor i politikës së re territoriale duhet të jetë ndalimi i shpopullimit, duke i garantuar pushtetit vendor kompetenca të plota dhe autonomi të pastër financiare.
“Nëse ndodh shkrirja e bashkisë, rrezikohen shërbimet dhe qytetarët do të largohen. Shqipëria rrezikon të zbardhet, të humbasë atë moshë të re, dhe po rrezikon shpopullim,” – paralajmëroi bashkëkryetari i komisionit.
I pyetur për debatin e ashpër të zhvilluar gjatë ditës me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, Boçi e cilësoi atë si një “përplasje vizionesh” të pastër dhe shtoi se pyetjet e bëra nga opozita shkaktojnë nervozizëm te mazhoranca, të cilës nuk i konvenon e vërteta.
Në fund të bisedës, Boçi preku edhe çështjet e integrimit europian dhe lirisë së medias. Ai rikonfirmoi mbështetjen e plotë të opozitës për anëtarësimin e vendit në BE, por argumentoi se vonesat vijnë vetëm si pasojë e korrupsionit të lartë qeveritar.
Si shembull të goditjes së hapësirës publike, ai solli rastin e ngjarjeve rreth “Birra Korçës”, duke pretenduar se përmes asaj ndërhyrjeje nuk u godit thjesht një biznes, por u tentua të goditej drejtpërdrejt media News24.
