Vendosni fjalën kyçe....

Udhëzuesi i shekullit të 19-të për drejtimin e një mbledhjeje efektive


Manuali i vitit 1876 i Henry Martyn Robert mbi mënyrën e kryerjes së procedurave të rregullta është miratuar nga kishat, sindikatat, bordet dhe shoqatat e lagjeve

Autori i shkrimit është inxhinier sistemesh dhe autor i librit „Probleme të mbrapshta: Si të projektojmë një botë më të mirë“ Wicked Problems: How to Engineer a Better World”.

Njëqind e pesëdhjetë vjet më parë, kur Lugina e Silikonit ishte ende kryesisht me pemishte, askush nuk i përfytyronte algoritmet duke ndërmjetësuar marrëveshje.

Zhvilluesit pretendojnë se ndërmjetësit e inteligjencës artificiale, si Makina Habermas e Google DeepMind, mund t’i ndihmojnë grupet të arrijnë një konsensus; megjithatë, një inxhinier i shekullit të 19-të bëri gati një proces që ende qeveris shumë nga mbledhjet që kanë më shumë rëndësi.

Në vitin 1863, ndërsa Lufta Civile ishte në kulmin e saj në të gjithë Amerikën, një mbledhje kishe në New Bedford, Massachusetts, u hap me lutje dhe përfundoi në kaos. Henry Martyn Robert, një oficer 25-vjeçar i ushtrisë së Unionit, ishte nominuar për të kryesuar mbledhjen.

Propozimet dhe gjakrat e ndezur fluturuan gjithandej. Me të rënë nata, Robert kishte humbur plotësisht kontrollin mbi grupin. Ai u betua se nuk do drejtonte kurrë më një mbledhje tjetër derisa të mësonte se si bëhej kjo gjë. Ky poshtërim hodhi farën e një prej dokumenteve më me ndikim në jetën qytetare amerikane: Rregullat e Rendit të Robertit (Robert’s Rules of Order).

I publikuar për herë të parë në vitin 1876, 13 vjet pas asaj mbledhjeje katastrofike, ky manual është adoptuar nga kisha, sindikata, borde, shoqata profesionale dhe shoqata lagjesh që duan procedura të rregullta. Edhe në Britani, ku parlamenti ndjek traktatin e Thomas Erskine May-t mbi procedurat, ka grupe që mbështeten te rregullat e Robertit.

Djali i një ministri baptist që kundërshtonte skllavërinë, Robert u rrit në një shtëpi të përçarë nga mosmarrëveshjet. Ndërsa ai iu bashkua ushtrisë së Unionit, i dekretuar në Korpusin e Inxhinierëve, disa nga të afërmit e tij luftuan për Konfederatën.

Roberti shihte çarje kudo që shkonte. Pa rregulla formale në fuqi, zëri më i lartë dukej se mbizotëronte gjatë debateve. Ndërsa hekurudhat dhe telegrafët po e bashkonin kombin, mosmarrëveshjet po e shqyenin atë.

Inxhinieria e një kontrate sociale

Roberti iu qas idesë së përmirësimit të procedurës së mbledhjeve dhe ndërmjetësimit të marrëveshjeve me të njëjtën rreptësi që sillte në ndërtimin e porteve dhe fareve të detit.

Ai e ankoroi atë te vullneti i asamblesë, më pas ndërtoi një rend rëndësie për të lehtësuar punën në grup dhe për të frenuar amendamentet, ku kërkohej një votë prej dy të tretave për të kufizuar debatin ose për të rrëzuar pakicën. Prapa mekanizmit fshihej një kontratë morale dhe sociale.

Kur një grup mblidhej, shumica i detyrohej pakicës një dëgjim të plotë – të drejtën për të debatuar, ndryshuar dhe apeluar. Pasi arrihej një vendim, pakica i detyrohej shumicës pranimin e tij, përveç nëse më vonë mund të grumbullonte mbështetje për ta rishqyrtuar.

Këto rregulla mund të mos garantonin urtësi apo drejtësi, por ofronin stabilitet: një kornizë që lejonte që mosmarrëveshja të shpalosej pa e thyer grupin. Ky ekuilibër midis të drejtave të mbrojtura dhe rezultateve legjitime e dallon procedurën shqyrtuese nga rregulli i thjeshtë i shumicës ose konsensusi i fabrikuar.

Rregullat u bënë aq të njohura saqë tani funksionojnë si një sistem operativ i paracaktuar për mbledhjet.

Kur teknologjia kërcënon qartësinë

Në mjedise më të vogla, natyrisht, procedura të tilla mund të duken të tepërta. Kjo është pika e dobët e çdo sistemi të besuar: procedura mund të kapet nga ata që e njohin më mirë atë. Prezantimi i teknologjisë së re nuk e rregullon këtë gjë; në disa mënyra, ndërmjetësit e inteligjencës artificiale rrezikojnë ta thellojnë problematikën duke shtuar një shtresë të padukshme dhe të pakontestueshme që riformëson gjykimin kolektiv.

Vetë instinkti i Robertit ishte të projektonte për skenarin më të keq, jo të shpresonte për më të mirën. Njeriu që dikur humbi kontrollin e një kishe, kaloi pjesën e fundit të jetës duke ndërtuar një lloj tjetër mbrojtjeje. Pasi një uragan rrafshoi Galvestonin e Teksasit në vitin 1900, Robert ndihmoi në ngritjen e qytetit mbi rërë dhe ndërtimin e një prite detare masive.

Kur një stuhi e ngjashme goditi në vitin 1915, dëmi ishte shumë më i vogël.Rregullat e Rendit dhe prita detare e Galvestonit iu përgjigjën të njëjtës pyetje: si të projektosh diçka që i mbijeton stuhisë së radhës, qoftë kjo një stuhi natyrore apo një dhomë plot me njerëz të bindur se kanë të drejtë?

Rregullat e Robertit nuk e eliminojnë konfliktin. Ato e fusin atë brenda rregullave. Kjo kërkon që ne të debatojmë hapur, nën procedura të përbashkëta, në vend që t’i delegojmë mosmarrëveshjet tona te mjete që ofrojnë komoditet në dëm të qartësisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani