Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka zhvilluar dëgjesën e radhës publike në qytetin e Dibrës, me pjesëmarrjen e qytetarëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe aktorëve të shoqërisë civile.
Bashkëkryetari i këtij komisioni, njëherësh edhe nënkryetar i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka lëshuar akuza të forta ndaj ndarjes aktuale territoriale të vendit, duke e cilësuar atë si një projekt të dështuar.
Sipas Boçit, pasoja më e rëndë dhe më e dukshme e asaj që ai e quajti “reformë partiake e vitit 2014” është shpopullimi masiv i zonave rurale dhe rënia e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Nëse realizojmë një reformë pa konsultuar qytetarin, atëherë kemi një reformë pa taban, si ajo e vitit 2014. Ndarja e vjetër nuk arriti të sjellë autonominë fiskale dhe kompetencat e premtuara për pushtetin vendor, ndërsa prodhoi thellim të pabarazive mes bashkive. Kush ishte bashki e varfër u bë edhe më e varfër,” – deklaroi Boçi gjatë fjalës së tij hapëse.
Nënkryetari i PD-së solli shifra konkrete për të ilustruar argumentin e tij se ndarja e hartës së Shqipërisë në 61 bashki nuk u bë mbi kritere administrative, por thjesht për interesa elektorale të mazhorancës.
Ai bëri një krahasim mes Qarkut të Dibrës dhe atij të Gjirokastrës për të treguar pabarazinë sipas tij absurde të numrit të bashkive.
“Dibra ka rreth 150 mijë banorë dhe vetëm 4 bashki, ndërsa Gjirokastra me më pak banorë ka 7 bashki. Kjo tregon se reforma nuk ishte administrative-territoriale, por politike. Projekti fillestar parashikonte 47 bashki, ndërsa më pas numri u rrit në 61 për arsye politike,” – nënvizoi bashkëkryetari i komisionit.
Boçi mbrojti tezën e opozitës se vendi ka nevojë urgjente për rritje të kompetencave të pushtetit vendor, forcim të rolit të qarqeve dhe autonomi të plotë financiare.
Ai hodhi poshtë pretendimet se bashkitë e vogla nuk mund të mbijetojnë dot ekonomikisht, duke sjellë si shembull pozitiv modele të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
“Kroacia ka 556 komuna dhe përsëri përfiton miliarda euro nga fondet europiane, çka tregon se madhësia e bashkisë nuk është kusht për zhvillim apo përfitim fondesh,” – përfundoi Boçi, duke argumentuar se zgjidhja qëndron te bashkëpunimi dhe mbështetja ndërbashkiake.
