Vendosni fjalën kyçe....

Kina kundër SHBA-së pas akuzave ndaj Raul Castros: Ndalni kërcënimet dhe presionin ndaj Kubës


Kina i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë “kërcënimet” dhe “presionin” ndaj Kubës, pasi një gjykatë amerikane ngriti akuza për vrasje ndaj ish-udhëheqësit kuban Raul Castro.

Reagimi i Pekinit erdhi pasi autoritetet amerikane akuzuan 94-vjeçarin për komplot në vrasjen e shtetasve amerikanë, lidhur me rrëzimin e dy avionëve në vitin 1996, incident ku humbën jetën katër persona, sipas BBC.

Në atë periudhë, Raul Castro drejtonte forcat e armatosura kubane. Avionët i përkisnin grupit disident kubano-amerikan “Brothers to the Rescue” dhe po fluturonin mes Kubës dhe Floridës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, deklaroi se SHBA-ja duhet të “ndalojë përdorimin e sanksioneve dhe aparatit gjyqësor si mjete shtrëngimi kundër Kubës” dhe të mos “kërcënojë me forcë në çdo rast”.

Kina mbështet fuqimisht Kubën në mbrojtjen e sovranitetit dhe dinjitetit të saj kombëtar”, tha ai.

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur presionin ndaj Havanës gjatë muajve të fundit, ndërsa ka folur publikisht edhe për rrëzimin e regjimit komunist në Kubë.

Ndërkohë, presidenti kuban Miguel Díaz-Canel i ka cilësuar akuzat ndaj Raul Castros si “një manovër politike pa bazë ligjore”.

Ngjarja e vitit 1996 mbetet një nga episodet më të tensionuara në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kubës, duke shkaktuar përplasje të forta diplomatike mes dy vendeve.