Vendosni fjalën kyçe....

“U dhunova nga pronari i supermarketit dhe dy të tjerë” – Denoncimi i gazetarit në Shkodër (Video)


Gazetari Ervin Dushi ka denoncuar në polici se është dhunuar mbrëmjen e sotme.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Shkodër. Sipas Dushit, ai është goditur me grushte para një supermarketi “Xhedis” në lagjen “Skënderbeg” ku disa persona, mes të cilëve edhe Gjoni e kanë qëlluar.

Dushi pretendon se ngjarja lidhet me një denoncim të bërë prej tij disa kohë më parë në mbështetje të një punonjëseje të marketit, e cila kishte pasur një mosmarrëveshje me pronarin e kompanisë.

Pas dhunës, gazetari ka bërë kallëzim në Policinë e Shkodrës dhe është shprehur se do ta ndjekë çështjen në rrugë institucionale.

“Rreth orës 20:00 jam takuar me pronarin e rrjetit të marketeve Xhedis në Shkodër dhe pretendimi i tij ishte se kishte kërkuar numrin tim personal, e kishte kërkuar avokati i tij. Pasi pak kohë më parë në rrjetet sociale kam publikuar disa video, që i kanë marrë media të ndryshme, ku ai kërcënonte një qytetar. Dhe pretendimi ishte që avokati i tij kishte kërkuar takim me mua, për të diskutuar se çfarë faktesh kemi lidhur me këtë kërcënim. U paraqita në mënyrë miqësore, pasi pak kohë më parë kisha pirë edhe një kafe me zotërinë. Krejt i pavetëdijshëm, nuk e prisja takimin. Dhe ky është rezultati i takimit me pronarin e marketeve Xhedis, Prelë Gjoni. Ishte vet i katërt, ku 3 nga ata u involvuan në goditjen time, ndërsa personi i katërt u mundua të ndante, të ndalonte dhe më mori në lokalin e tij për të më ndihmuar. Tre nga personat më goditën në mënyrë të pamëshirshme. E gjithë goditja erdhi si shkak i detyrës, i punës si gazetar. Sepse unë jam gazetar i lirë. Përveç një të share, nuk më thanë asnjë fjalë më tepër”, vijoi më tej Dushi.

Lidhur me një video-denoncim për një rrjet marketesh që pretendohet se shisnin produkte të skaduara, Dushi tha se video nuk kishte emra dhe nuk kishte pse të ishte ajo shkak i dhunës.

Ai shtoi gjithashtu se video-denoncimin e plotë do ta publikonte, pasi të përfundonte procedurat me Policinë.

“Ditën e sotme kam publikuar një video ku thuhej se një rrjet marketesh ka ushqime të skaduara. Ajo video nuk ka asnjë emër, nuk ka asgjë. Nëse personit në fjalë i ka djegur duke qenë i vetëdijshëm për çfarë tregton… Pasi të kryej gjithë procedurat me Policinë, do ta postoj atë video, sepse bëhet fjalë për një rrjet marketesh që helmon popullin shkodran”, shtoi Dushi.

Njoftimi

“Në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi E. D., gazetar, i cili ka kallëzuar se rreth orës 20:00 është goditur me grushte nga disa shtetas, në lagjen “Skënderbeg”, përpara supermarketit “Xhedis”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë bërë identifikimin e njërit prej personave, shtetasit P. Gj., ndërsa po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt dhe shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.”