Vendosni fjalën kyçe....

Lamallari pas operacionit në Sarandë: Zero tolerancë ndaj policëve që bashkëpunojnë me krimin


Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, reagoi pas operacionit në Sarandë ku u arrestuan drejtues dhe punonjës policie të dyshuar për bashkëpunim me elementë kriminalë dhe shpërdorim detyre.

Lamallari përshëndeti aksionin e zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Policia e Shtetit, duke theksuar se nuk do të ketë tolerancë ndaj efektivëve që abuzojnë me detyrën apo bashkëpunojnë me shkelësit e ligjit.

Ai deklaroi se çdo rast abuzimi do të goditet dhe personat përgjegjës do të përballen me drejtësinë.

Reagimi i plotë:

Në Policinë e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit, që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë.

 

 

E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit, bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit. Kjo provë vullneti për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element që cënon ligjin dhe besimin e publikut, nuk është e para dhe nuk do të jetë as e fundit.

Në çdo rast abuzimi, që nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementët kriminalë, reagimi do të jete me zero tolerancë.

Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe përballen me drejtësinë.

Përgëzime dhe kurajo lidershipit të ri të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit. Asnjë hap mbrapa!