Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se gjatë takimit me homologun kinez Xi Jinping në Pekin ka diskutuar për shitjen e armëve amerikane Tajvanit, duke shtuar se së shpejti do të marrë një vendim për këtë çështje të ndjeshme në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës.
Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One gjatë kthimit nga Kina, Trump tha se ai dhe Xi kishin diskutuar gjerësisht për Tajvanin, por theksoi se nuk mendon se ekziston konflikt mes dy vendeve për këtë çështje, përcjell Reuters.
“Folëm shumë për Tajvanin”, tha Trump, duke shtuar se nuk i kishte bërë asnjë premtim presidentit kinez lidhur me politikën amerikane ndaj ishullit.
Sipas presidentit amerikan, Xi Jinping e pyeti drejtpërdrejt nëse SHBA-ja do ta mbronte Tajvanin në rast të një sulmi nga Kina, por Trump refuzoi të jepte një përgjigje të qartë.
“Ka vetëm një person që e di këtë dhe ai jam unë. Vetëm unë. Presidenti Xi ma bëri këtë pyetje sot dhe unë i thashë se nuk flas për këtë”, deklaroi Trump.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe prej vitesh kundërshton shitjen e armëve amerikane për ishullin, duke e cilësuar atë si ndërhyrje në punët e brendshme të Pekinit.
Megjithëse SHBA-ja nuk ka marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, Uashingtoni mbetet mbështetësi më i rëndësishëm ndërkombëtar i ishullit dhe furnizuesi kryesor i tij me armë.
