Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s (NATO CCDCOE), me qendër në Estoni.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë si një hap strategjik për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit ndaj kërcënimeve digjitale në rritje.
Sipas kryeministrit, ky anëtarësim e vendos Shqipërinë në një tryezë të përbashkët ekspertize me vendet aleate për të zhvilluar kapacitetet mbrojtëse në hapësirën virtuale.
“Nga dje jemi anëtarë të Qendrës së Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s, një nga strukturat më të rëndësishme të Aleancës për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen ndaj kërcënimeve digjitale. Qendra përfaqëson një platformë bashkëpunimi dhe ekspertize mes vendeve aleate,” shkroi Rama.
Qendra CCDCOE shërben si një pikë qendrore për trajnimin e strukturave ushtarake dhe civile, si dhe për hartimin e strategjive kombëtare e ndërkombëtare të mbrojtjes kibernetike.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë strukturë shihet si një mundësi për të forcuar infrastrukturën kritike digjitale të vendit, e cila ka qenë shpesh shënjestër e sulmeve të koordinuara kibernetike në vitet e fundit.
Ky hap vjen si një tjetër angazhim i Shqipërisë brenda strukturave të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
