Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni “Fati i lojërave”, goditet tjetër vatër bastesh ilegale në Tiranë


Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në kuadër të operacionit të koduar “Fati i lojërave”.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, bazuar në informacione operative, kanë konstatuar se në një lokal në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu” zhvillohej aktivitet i paligjshëm i basteve sportive.

Si rezultat i ndërhyrjes, u arrestua në flagrancë administratori i subjektit, shtetasi S. Z., 54 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, policia sekuestroi tre telefona celularë, në të cilët ishin të aktivizuara platforma për vendosjen e basteve sportive.

Operacioni “Fati i lojërave” vijon në disa zona të kryeqytetit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.