Vendosni fjalën kyçe....

“Afera Partizani”, Gjokutaj: Çështje e sajuar, dyshime për kallëzim të rremë nga Balla


Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, ka reaguar pas dëshmisë disaorëshe të deputetit Taulant Balla në gjyqin për çështjen “Partizani”, duke e cilësuar procesin si të sajuar dhe pa bazë penale.

Në një prononcim për mediat, Gjokutaj u shpreh kritik ndaj dëshmisë së Ballës, duke pretenduar se ai nuk ka qenë i qartë mbi akuzat që ka ngritur në kallëzimin e tij.

“Është drejtësi që dëgjon 4 orë e gjysmë një dëshmitar, i cili 50% të dëshmisë nuk e mbante mend dhe 50% i referohej mediave. Balla nuk dinte çfarë akuzash ka bërë në kallëzim. Thoshte korrupsion, ndërkohë që kallëzimi është për shpërdorim detyre”, deklaroi ai.

Gjokutaj ngriti gjithashtu dyshime se deputeti mund të ketë konsumuar elementë të kallëzimit të rremë, duke shtuar se çështja, sipas tij, nuk përmban elemente të veprës penale.

“Është çështje e sajuar dhe sot, pas dëshmisë, kam dyshime të forta që jo vetëm që ka konsumuar elementë të kallëzimit të rremë, por duhet edhe pak hetim dhe bën vaki edhe mos ta ketë bërë vetë kallëzimin. Çështja nuk ka fakt penal”, u shpreh Gjokutaj.

Ai komentoi gjithashtu edhe thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama, kërkesë e bërë nga mbrojtja dhe e pranuar nga gjykata në seancën e mëparshme.

“Ky është vendim gjykate, ne e kemi kërkuar dhe ata e pranuan. Mendoj që Rama nuk ka luajtur mendsh të mos vijë në gjykatë. Nuk është në diskrecionin e tij të vijë apo jo”, deklaroi avokati.