Vendosni fjalën kyçe....

Sulme vdekjeprurëse mes Rusisë dhe Ukrainës, rriten shqetësimet për rrezikun në Çernobil



Sulmet me dronë dhe raketa mes Rusisë dhe Ukrainës kanë shkaktuar të paktën 16 viktima gjatë fundjavës, sipas autoriteteve të të dyja vendeve, ndërsa paralelisht janë shtuar paralajmërimet për rrezikun që i kanoset centralit bërthamor të Çernobilit, përcjell Euronews.

Autoritetet ukrainase raportuan se të paktën nëntë persona humbën jetën pas sulmeve ruse në qytetin Dnipro. Nga ana tjetër, zyrtarët rusë deklaruan se një person u vra nga një sulm ukrainas me dron në qytetin portual Sevastopol, në gadishullin e Krimesë.

Raportohet gjithashtu për viktima të tjera në rajone të ndryshme, përfshirë edhe zonën e Luhanskut, ku sipas autoriteteve të emëruara nga Moska, disa persona humbën jetën nga sulmet ukrainase me dronë. Ndërkohë, një grua u raportua e vrarë në rajonin kufitar rus të Belgorodit.

Në zhvillime të tjera, ushtria ukrainase njoftoi se ka goditur një rafineri nafte në rajonin e Jarosllavit, thellë në territorin rus, duke shkaktuar zjarre në një impiant të rëndësishëm për furnizimin me karburant të ushtrisë ruse.

Këto përshkallëzime vijnë në kohën kur Ukraina përkujton 40-vjetorin e katastrofës bërthamore të Çernobilit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, paralajmëroi se sulmet ruse rrezikojnë të përsërisin një tragjedi të ngjashme.

“Bota nuk duhet të lejojë që ky terrorizëm bërthamor të vazhdojë”, u shpreh ai, duke theksuar rrezikun nga fluturimet e shpeshta të dronëve mbi centralin.

Paralajmërimi i tij u mbështet edhe nga kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, i cili gjatë një vizite në Kiev theksoi se riparimet në strukturën mbrojtëse të dëmtuar të centralit duhet të nisin urgjentisht.

Sipas vlerësimeve, dëmet e shkaktuara nga një sulm i mëparshëm kanë komprometuar funksione kyçe të sigurisë, ndërsa riparimet mund të kushtojnë të paktën 500 milionë euro.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase bëjnë të ditur se angazhimet financiare ndërkombëtare për riparimet kanë arritur deri tani në rreth 130 milionë euro, shumë më pak se nevojat reale.