Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli dërgoi sistemin “Iron Dome” dhe trupa në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë luftës me Iranin


Sipas një raporti të publikuar nga Axios, Izraeli ka dërguar një sistem mbrojtës “Iron Dome” (Kupola e Hekurt) së bashku me trupa ushtarake në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në fillim të luftës me Iranin, percjell Ynet.

Ky shënon rastin e parë që ky sistem i avancuar transferohet në një vend tjetër për përdorim operacional, duke konfirmuar një kthesë historike në marrëdhëniet mes dy shteteve.

Gjatë konfliktit, Emiratet u përballën me një breshëri të paprecedentë sulmesh. Ministria e Mbrojtjes së Emirateve raportoi se Irani lëshoi rreth 550 raketa balistike, si dhe 2200 dronë drejt territorit të tyre, një volum ky që tejkaloi edhe sulmet e drejtuara ndaj Izraelit.

Përballë kësaj situate, Presidenti Sheikh Mohammed bin Zayed kërkoi ndihmë, dhe Kryeministri Netanyahu udhëzoi IDF-në të dislokonte baterinë mbrojtëse bashkë me dhjetëra ushtarë për operimin e saj.

“Izraeli ishte një nga vendet që u tregua i gatshëm të ofronte ndihmë reale për EBA-në. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli u vërtetuan si aleatë të vërtetë përmes asistencës ushtarake dhe inteligjencës. Ne nuk do ta harrojmë këtë”, deklaroi Tareq Alotaiba, ish-zyrtar i lartë i Sigurisë Kombëtare në Emirate.

Zyrtarë izraelitë konfirmuan se bateria e “Iron Dome” arriti të interceptonte dhjetëra raketa iraniane, duke mbrojtur objekte civile dhe ushtarake. Ky bashkëpunim ka ndryshuar ndjeshëm edhe opinionin publik në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku qytetarët kanë filluar ta shohin ndihmën ushtarake izraelite si jetike për mbrojtjen e vendit.

Përveç Izraelit dhe SHBA-së, në ndihmë të Emirateve erdhën edhe vende si Franca, Britania, Italia dhe Australia. Një zyrtar emiratit u shpreh se ky ishte “një moment reflektimi” për të parë se cilët janë miqtë e vërtetë të vendit në kohë lufte.

Situata mbetet dinamike, ndërsa suksesi i “Iron Dome” në Gji po shihet si një dëshmi e efikasitetit të teknologjisë izraelite në kushte reale luftimi masiv.