
Reagime të forta kanë ardhur nga liderë ndërkombëtarë pas sulmit me armë gjatë një aktiviteti në Washington DC, ku ishte i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump, përcjell Fox News.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, shprehu solidaritet të plotë me Trump, Zonjën e Parë dhe zyrtarët e tjerë, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm ndaj dialogut politik të lirë.
“Asnjë urrejtje politike nuk mund të ketë vend në demokracitë tona. Nuk do të lejojmë që fanatizmi të helmojë hapësirat e debatit të lirë,” u shpreh Meloni.
Edhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dënoi sulmin, duke e cilësuar atë një goditje ndaj institucioneve demokratike dhe lirisë së medias, ndërsa shprehu lehtësim që Trump dhe të pranishmit janë të sigurt.
Ndërkohë, edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dënuan ashpër ngjarjen, duke e cilësuar një akt kriminal që kërcënon stabilitetin dhe sigurinë.
Sulmi ka rikthyer gjithashtu në vëmendje debatet për sigurinë e eventeve të nivelit të lartë në SHBA, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.