Vendosni fjalën kyçe....

Libani do të kërkojë zgjatje të armëpushimit në bisedimet me Izraelin


Raportohet se Liban po planifikon të kërkojë një zgjatje njëmujore të armëpushimit me Izraelin, i cili pritet të skadojë së shpejti, gjatë një raundi të ri bisedimesh që do të zhvillohen të enjten në Uashington.

Para negociatave, Izraeli deklaroi se nuk ka “mosmarrëveshje serioze” me Libanin dhe i bëri thirrje të bashkëpunojë kundër Hezbollah, milicia e mbështetur nga Irani që kundërshton bisedimet dhe nuk merr pjesë në to.

Bisedimet e drejtpërdrejta mes dy vendeve, të zhvilluara më 14 prill, ishin të parat pas disa dekadash. Pas tyre, SHBA njoftoi një armëpushim 10-ditor, i cili skadon të dielën, shkruan The Guardian.

Në këtë raund të ri, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio do të mbledhë ambasadorin izraelit Yechiel Leiter dhe ambasadoren libaneze Nada Hamadeh Moawad, në prani të ambasadorit të SHBA-së në Liban Michel Issa. Gjithashtu, pritet të marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee.

Sipas burimeve, Libani do të kërkojë jo vetëm zgjatjen e armëpushimit, por edhe ndalimin e bombardimeve dhe një angazhim të qartë për respektimin e tij. Presidenti Joseph Aoun konfirmoi se kontaktet për zgjatjen e armëpushimit janë duke vazhduar.