Vendosni fjalën kyçe....

Kapri: Po bllokohen interpelancat, qeveria duhet të japë llogari për IPARD dhe projektet madhore



Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka ngritur shqetësime në Kuvend lidhur me anulimin e interpelancave të kërkuara me ministrin e Bujqësisë dhe kryeministrin Edi Rama.

Në fjalën e tij, Kapri u shpreh se pavarësisht faktit që shumë çështje të rëndësishme të qeverisë ndodhen nën hetim, kjo nuk duhet të sjellë, sipas tij, bllokimin e llogaridhënies në Parlament.

“Për fondet e IPARD është anuluar edhe interpelanca me kryeministrin Rama për mbrojtjen e të dhënave në lidhje me KSHI dhe Air Albania. Pra na është anuluar. Çdo projekt madhor i kësaj qeverie është në hetim, por nuk na është lejuar interpelanca. Nuk ka logjikë që të mohohet interpelanca. Edhe për Thumanë–Kashar kemi dy vite e gjysmë dhe nuk bëhet. Ministri dhe qeveria duhet të japin llogari këtu. Dhe nuk mund të ndalojnë Parlamentin sepse çështja është në hetim. Ne duam të bëjmë interpelancat tona siç e vlerëson Kushtetuta”, tha ai.

Kapri akuzoi gjithashtu qeverinë për keqmenaxhim të fondeve të IPARD-it, duke kërkuar kthimin e tyre dhe transparencë mbi mënyrën e përdorimit.

“33 milionë euro janë vjedhur dhe shpërdoruar në Shqipëri. Ish-zyrtarë të lartë të PS-së dhe familjarë që kanë marrë fonde të IPARD-it kanë detyrë t’i kthejnë mbrapsht. Ka kaluar mbi një vit që fondet duhet të ishin shpërndarë dhe nuk mund të ketë IPARD 3 pa u zgjidhur ky problem. Pa kthyer 33 milionë euro nuk mund të ketë fonde të tjera për fermerët shqiptarë. Qeveria nuk po jep asnjë zgjidhje”, u shpreh ai.

Sipas Kaprit, pavarësisht ecurisë së hetimeve, detyra e qeverisë mbetet garantimi i përdorimit të drejtë të fondeve dhe mbështetja e fermerëve.