Vendosni fjalën kyçe....

Gjendja e Unazës së Poshtme të Burrelit degradohet, rruga pëson shembje të reja



Gjendja e Unazës së Poshtme të Burrelit vijon të përkeqësohet, ndërsa segmenti rrugor po degradohet çdo ditë dhe në disa pjesë ka pësuar shembje dhe fundosje.

Sipas pamjeve të publikuara, dëmtimet e mëparshme nuk janë rikonstruktuar nga firma kontraktore “Ulza sh.p.k”, çka ka sjellë përkeqësim të mëtejshëm të situatës dhe rritje të rrezikshmërisë për qarkullimin.

Rruga, e cila duhej të ishte funksionale prej të paktën 6 muajsh dhe ka një kosto prej rreth 1.2 milionë euro, ka pësuar katër shembje të mëdha dhe aktualisht rezulton pjesërisht e pakalueshme.

Pak muaj më parë, ARRSH dërgoi një grup ekspertësh për të vlerësuar dëmet dhe njoftoi se do të ndërhynte me një investim të ri për riparimin e segmentit të dëmtuar.

Sipas ekspertëve, zgjidhja teknike parashikon ndërtimin e pilotave në një gjatësi rreth 300 metra lineare, por punimet ende nuk kanë nisur.

Ndërkohë, automjetet e tonazhit të rëndë vijojnë të qarkullojnë përmes rrugëve të brendshme të qytetit të Burrelit, duke shtuar shqetësimin e banorëve dhe rrezikun për infrastrukturën urbane.