Vendosni fjalën kyçe....

Samiti i Diasporës/ Ali Ahmeti: Po gërryhet Marrëveshja e Ohrit, gjuha shqipe është e garantuar nga SHBA dhe NATO


Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka shfrytëzuar tribunën e Samitit të Diasporës në Tiranë për të lëshuar një paralajmërim të fortë lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti u fokusua te debati mbi gjuhën shqipe dhe tentativat për të ndryshuar statusin e saj zyrtar, duke i cilësuar këto lëvizje si një përpjekje direkte për të zhbërë themelet e shtetit.

Duke marrë shkas nga protestat e studentëve shqiptarë për të drejtën e provimeve në gjuhën amtare, Ahmeti theksoi se gjuha shqipe nuk është thjesht një çështje teknike, por një arritje e garantuar ndërkombëtarisht.

“Gjuha shqipe në Maqedoni është në rrezik të vërtetë. Me marrëveshje të nënshkruar dhe të garantuar nga SHBA, BE dhe NATO, shqipja është gjuhë zyrtare. Çdo koment tjetër është vetëm për ta gërryer përfundimisht marrëveshjen e Ohrit dhe për t’i ndryshuar karakterin shtetit,” deklaroi Ahmeti.

Lideri i BDI-së kujtoi se suksesi i bashkëjetesës në vendin fqinj ka ardhur falë zbatimit të pikave të Ohrit, që nga simbolet kombëtare e deri te përdorimi i shqipes në administratë. Ai paralajmëroi se çdo lëkundje e këtyre balancave do të kishte pasoja fatale për vetë ekzistencën e Maqedonisë së Veriut.

“Maqedonia ka ardhmëri në bashkëjetesë dhe bashkëqeverisje vetëm me shqiptarët. Pa shqiptarët, nuk mund të mbijetojë dhe ditët i ka të numëruara,” nënvizoi ai, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që t’i dalin zot arritjeve kombëtare.

Ahmeti kërkoi unitet jo vetëm brenda Maqedonisë së Veriut, por edhe mbështetje nga faktori mbarëshqiptar në rajon e diasporë. Sipas tij, mbrojtja e ligjit të gjuhës është detyrim i përbashkët për të ruajtur integritetin e marrëveshjeve që sollën paqen në vitin 2001.