Vendosni fjalën kyçe....

Peleshi: Jo vetëm një burim kujtimesh, ta kthejmë Shqipërinë në burim ëndrrash për diasporën


Gjatë fjalës në Samitin e Diasporës, Niko Peleshi theksoi se shqiptarët ndodhen përballë një momenti të rëndësishëm për të reflektuar mbi të ardhmen e kombit dhe për të gjetur një drejtim të përbashkët zhvillimi.

Ai nënvizoi se ndryshimet globale dhe sfidat e reja kërkojnë një qasje më të qartë dhe një vizion afatgjatë.

“Ende nuk mund të themi se e kemi gjetur rrugën tonë, formulën tonë shqiptare për të ardhmen e sigurt e të qëndrueshme të kombit shqiptar.

Formulën që duhet t’i mësohet çdo shqiptari sapo lind e kudo që lind, e që transmetohet kështu si një testament nga brez në brez. Bota po ndryshon me shpejtësi.

Rreziqe të mëdha i kanosen kombeve, shteteve dhe vetë njerëzimit si pasojë e ndryshimit të ekuilibrave ndërkombëtarë që po prishen dhe revolucionit teknologjik që po transformon çdo aspekt të jetës.

Si gjithmonë në histori, kohët e ndryshimeve janë edhe kohë mundësish.

Ku e gjejmë veten ne shqiptarët kur e shohim botën dhe njerëzimin nga optika e këtyre zhvillimeve? A duhet të kemi një narrativë të përbashkët unifikuese dhe, nëse po, a mund të themi se e kemi gjetur?

Një gjë është të mendosh dhe ndihmosh vendin tënd për nostalgji apo patriotizëm dhe një gjë tjetër është të mendosh si bashkëudhëtar i historisë së re të kombit,” u shpreh ai.

Më tej, Peleshi u ndal te roli i diasporës, duke theksuar se lidhja me Shqipërinë duhet të shkojë përtej nostalgjisë dhe kujtimeve, drejt një angazhimi konkret për të ardhmen.

“Çështja është si ta bëjmë atë pjesë Shqipërie jo vetëm një burim kujtimesh, por edhe një burim ëndrrash,” tha Peleshi.

Peleshi vlerësoi rolin e shqiptarëve jashtë vendit, duke theksuar se ata sot përfaqësojnë modele suksesi dhe vlerash në shoqëritë ku jetojnë. Ai nënvizoi se diaspora ka kaluar nga një burim mbijetese në një faktor të rëndësishëm zhvillimi për Shqipërinë.

Shqiptarët në botë janë sot një shëmbëlltyrë suksesi. Ju nuk jeni më individët që ndihmuat familjet tuaja të mbijetonin, por një burim, faktor dhe partnerë të zhvillimit të vendit. Shqipëria renditet e 30-ta në botë, ndër 172 shtete, sa i përket peshës së remitancave në ekonomi. Por kontributi i diasporës për Shqipërinë nuk janë vetëm miliarda euro që hyjnë në vit si remitanca nga emigracioni, e që për nga kontributi në GDP konkurrojnë e plotësojnë investimet e huaja. Kontributi i diasporës është edhe kapitali njerëzor, profesional, arsimor, kulturor, social e i vlerave që shqiptarët jashtë vendit rrezatojnë dhe sjellin në atdhe, në rrugë e forma të ndryshme,” u shpreh ai.

Peleshi shtoi se kontributi i diasporës nuk kufizohet vetëm te remitancat, por shtrihet edhe në kapitalin njerëzor, profesional dhe kulturor, duke theksuar nevojën që institucionet shqiptare ta integrojnë më mirë këtë potencial në politikat e zhvillimit.

“Kontributi i diasporës është edhe kapitali njerëzor… është detyra jonë të ndërtojmë sinergji më efikase që këtë pasuri ta trupëzojmë më mirë në zhvillimin e vendit,” tha Peleshi.