Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Shqipëria, emër që flet vetë në të gjitha gjuhët e botës


Kryeministri Edi Rama deklaroi në Samitin e Diasporës se Shqipëria ka pësuar një transformim të thellë në imazh dhe zhvillim ekonomik gjatë viteve të fundit.

Ai theksoi se vendi, dikur i përballur me paragjykime, sot identifikohet me turizmin, natyrën dhe mikpritjen, ndërsa ekonomia ka shënuar rritje të ndjeshme. Sipas Ramës, të ardhurat për frymë janë rritur ndjeshëm, turizmi ka arritur në miliona vizitorë dhe investimet e huaja janë shtuar, ndërsa shumica e shërbimeve publike tashmë ofrohen online.

“Atëherë shumë prej jush ishit shqiptarë që shpesh duhet të përballeshit me paragjykime për emrin e vendit, sot jemi kryelartë kudo dhe kurdo emri i vendit tonë thirret në vëmendje sepse emri i Shqipërisë ka kaluar një transformim të thellë. Nga një sinonim i së keqes, Shqipëria është sinonim i detit, diellit, natyrës dhe mikpritjes së njerëzve. Nga një vend që përmendej me dyshim dhe përbuzje, Shqipëria sot është një vend që përmendet në rastin më të mirë me kuriozitet dhe në rastin edhe më të mirë me dëshirë. Nga një emër që shpesh duhej shpjeguar se ku binte në hartën e botës, sot Shqipëria është një emër që flet vetë në të gjitha gjuhët e botës.

Sot Shqipëria është shumë më ndryshe nga atëherë kur ne u mblodhëm në samitin e parë të diasporës. E nisëm rrugëtimin tonë me të ardhura për frymë më pak se 3 mijë euro në vit dhe sot jemi mbi 11 mijë euro në vit, synimi ynë është që në vitin 2030 të jemi mbi 15 mijë euro në vit.

E nisëm rrugëtimin tonë me 2 milionë e ca turistë, ku edhe paraardhësi im e numëronte veten si turist sa herë kthehej nga udhëtimet e punës dhe çdo shqiptar kur kthehej në shtëpi numërohej si turist. Në atë kohë Shqipëria kishte 300 milionë euro investime të huaja, sot Shqipëria ka 12 milionë turistë dhe kaloi 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit.

Atëherë askush prej jush, kur dilnit nga kufijtë e Shqipërisë apo kur kërkonit një shërbim, nuk mund ta merrnit dot veçse duke pritur pushimet për t’u kthyer në shtëpi dhe në vend që të pushonit në të gjitha ditët, ta kalonit një ditë të tërë në radhë për të marrë një shërbim. Sot ju i merrni 95% të shërbimeve falë shtetësisë suaj dhe një klik në smartphone-in tuaj”, tha Rama.