Vendosni fjalën kyçe....

“30% më shumë fitohet duke u bashkuar” – Rama nga Lushnja sulmon opozitën dhe thirrjet për “naftë falas”



Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me fermerë në Lushnjë, ku ishte i pranishëm edhe Belinda Balluku, ndërsa nuk kurseu kritikat ndaj opozitës dhe debatit publik për bujqësinë.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se zhvillimi i sektorit bujqësor nuk duhet parë përmes “debatit mediatik”, por si një mundësi konkrete për ndërtimin e mirëqenies.

“Thelbi që duhet të biem dakord së bashku, jo me ata që e shohin bujqësinë nga tenxheret dhe buzët e tenxherëve mediatike apo gjithë ai pazar i madh i thashethemeve dhe llogjeve të Tiranës, por bashkë me ata që e shohin si mundësinë e tyre për të ndërtuar jetën dhe mirëqenien”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se sfida kryesore nuk është më mungesa e fondeve, por mënyra se si organizohet puna dhe bashkëpunimi mes fermerëve.

“Nuk është paraja çështja jonë kryesore sot. Ka qenë, por nuk është. Sot çështja është që të kuptojnë se çfarë duhet të bëjmë për ta siguruar paranë që na duhet për të ecur para në ndërmarrjen tonë. Koha tanimë nuk pret”, deklaroi kryeministri.

Rama u ndal edhe te bashkëpunimi mes fermerëve, duke theksuar se bashkimi sjell përfitime më të mëdha ekonomike.

“Unë jam piktor, jo financiar dhe llogaritar. 30% më shumë fitohet duke u bashkuar”, tha ai.

Në vijim, ai sulmoi ashpër kritikët dhe debatet publike që, sipas tij, deformojnë realitetin.

“Është e neveritshme se si për hir të një lufte të verbër, as politike, por tribale, angazhohet një lukuni e tërë tenxheres për ta nxjerrë nga konteksti atë që themi. Për të vazhduar t’i bjerë një fyelli të thyer në të njëjtën vrimë; jepni naftë. Është e qartë se ajo që kemi bërë ne, është shumë herë më shumë se jepni naftë”, u shpreh Rama.