Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria dyfishon pagesën për programin “Pas Shkolle”, Kumbaro: 1000 lekë për çdo orë



Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se është miratuar një vendim i ri që mbështet programin “Pas Shkolle”, duke dyfishuar pagesën për orët jashtë programit të detyrueshëm mësimor.

Sipas vendimit, honorari për çdo orë 60-minutëshe do të rritet nga 500 në 1000 lekë. Kumbaro tha se kjo masë synon të mbështesë financiarisht zgjatjen e qëndrimit të nxënësve në shkollë dhe zhvillimin e aktiviteteve shtesë pas mësimit.

Ministrja bëri të ditur se, përveç mësuesve të sistemit shkollor, lista e bashkëpunëtorëve do të zgjerohet edhe me mësues në pension, specialistë të arteve, muzikës, sportit dhe zanateve.

“Këtë listë e hapim për mësues që janë në pension, por edhe për ekspertë të artit, muzikës, artizanatit apo sportit, që duan të kontribuojnë në program,” u shpreh Kumbaro.

Programi “Pas Shkolle” synon të kombinojë orët e detyrueshme të mësimit me aktivitete edukative dhe kulturore, duke u ofruar nxënësve më shumë mundësi zhvillimi brenda ambienteve të shkollës.