Vendosni fjalën kyçe....

Raporti – Irani përdor mashtrime dhe rindërton shpejt bazat e raketave pas goditjeve të SHBA-së dhe Izraelit


The New York Times raporton, duke cituar burime të inteligjencës amerikane, se Irani po rindërton me shpejtësi bazat dhe infrastrukturën e raketave të goditura nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Sipas raportit, forcat iraniane janë në gjendje të rikthejnë në funksion bunkerët dhe puset e lëshimit të raketave brenda pak orësh pas sulmeve, duke ruajtur një kapacitet të konsiderueshëm operacional, përcjell Ynet.

Vlerësimet e inteligjencës tregojnë se Irani vazhdon të zotërojë një numër të madh raketash balistike dhe platformash të lëvizshme lëshimi, duke i mundësuar të godasë objektiva në rajon, përfshirë Izraelin.

Megjithëse Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë kanë deklaruar progres të rëndësishëm në dobësimin e kapaciteteve ushtarake iraniane, agjencitë e inteligjencës amerikane mbeten të pasigurta se sa afër është arritja e objektivit kryesor të administratës së Donald Trump për eliminimin e këtyre kapaciteteve.

Sipas një raportimi, forcat amerikane kanë goditur rreth 11 mijë objektiva në Iran që nga fillimi i konfliktit.

Raporti thekson se Irani po përdor gjithashtu mjete mashtruese (decoys), duke e bërë të vështirë për SHBA-në të përcaktojë me saktësi se sa nga objektivat e shkatërruara ishin reale dhe sa ishin pjesë e një strategjie dezinformuese.

Zyrtarët amerikanë kanë vështirësi të vlerësojnë numrin e saktë të lëshuesve të mbetur, si dhe sa prej tyre ndodheshin në bunkerët dhe shpellat e goditura nga sulmet ajrore. Në disa raste, pavarësisht dëmeve fillestare, forcat iraniane kanë arritur t’i nxjerrin lëshuesit nga rrënojat dhe t’i rikthejnë në përdorim.

Sipas vlerësimeve, Teherani po zhvendos gjithnjë e më shumë sistemet e lëshimit në bunkerë dhe shpella për t’i mbrojtur nga sulmet e mëtejshme, duke synuar të ruajë kapacitetin për të ushtruar presion në rajon, pavarësisht nëse konflikti vazhdon apo përfundon.

Raporte të mëparshme, përfshirë ato të CNN, sugjerojnë se Irani mund të ketë ende rreth gjysmën e lëshuesve të raketave, megjithëse nuk ka një vlerësim të saktë për numrin e tyre aktual.