Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytjet në Kenia marrin jetën e 66 personave, Nairobi ndër zonat më të prekura



Të paktën katër persona të tjerë kanë vdekur në Kenia pas reshjeve të dendura që shkaktuan përmbytje të gjera, duke çuar numrin e viktimave gjatë javës së fundit në të paktën 66, njoftoi policia për BBC.

Kryeqyteti Nairobi u përball me reshje të tjera gjatë natës, megjithatë nuk u raportuan viktima të reja. Njëmbëdhjetë persona u shpëtuan pasi një minibus, i njohur lokalisht si matatu, ngeci në rrugë teksa u rrit niveli i ujit, ndërsa dy fëmijë u shpëtuan nga një shtëpi e përmbytur, njoftoi Kryqi i Kuq i Kenias.

Reshjet e dendura gjatë javës së fundit shkaktuan përmbytje të papritura, pasi lumenjtë dolën nga shtrati, duke përmbytur shtëpi dhe dëmtuar rrugë, linja energjie dhe ujësjellësi. Disa rrugë dhe ura u mbyllën, ndërsa disa shkolla u përmbytën pas reshjeve të së shtunës.

Ministria e Brendshme paralajmëroi se pjesë të ndryshme të vendit po përjetojnë ende reshje të dendura, duke rritur rrezikun e përmbytjeve. Autoritetet kanë kërkuar nga banorët e zonave të ulëta të zhvendosen në vend më të sigurt, ndërsa mbi 2,000 persona janë detyruar të lënë shtëpitë për të gjetur strehim.

Policia njoftoi se operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë pas “reshjeve të dendura dhe përmbytjeve shkatërruese që po prekin pjesë të ndryshme të vendit”.

Gjysma e viktimave, 33 persona, janë regjistruar në Nairobi, ku përmbytjet janë përkeqësuar nga kanalizimet e dobëta dhe bllokimi i lumenjve dhe kanaleve të ujit nga ndërtimet pa rregullore.

Biznesmeni Kareem Hassan Ali, banor në zonën Parklands të Nairobi, tha për BBC se gjatë natës së së shtunës kishte rreth dy metra ujë përpara pallatit të tij, megjithëse apartamenti nuk u përmbyt. Një tjetër banor, audituesi Deenesh Patel, tregoi se kaloi natën te një mik për shkak të paralajmërimeve dhe rrezikut. Të dy kërkuan nga autoritetet të përmirësojnë kanalizimet dhe të ndalojnë ndërtimet që bllokojnë lumenjtë.

Presidenti William Ruto tha se po punohet për pastrimin e kanalizimeve të bllokuara dhe po shpërndahen furnizime ushqimore dhe ndihma mjekësore për të prekurit. Megjithatë, banorët thanë se vetë ata kanë pastruar mbeturinat në zonat e tyre.

Përmbytjet kanë prekur edhe vendet fqinje. Më shumë se 100 persona kanë humbur jetën në Etiopi, kryesisht në jug të vendit, pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimi i klimës rrit shanset për reshje ekstreme. Temperatura globale është rritur mesatarisht rreth 1.1°C që nga fillimi i epokës industriale dhe pritet të vazhdojë të rritet nëse qeveritë nuk bëjnë ulje të mëdha të emetimeve.