Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Amnistia Fiskale s’mund të jetë ligj preferencial për ata afër qeverisë


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, deklaroi se Tatimet janë përdorur nga qeveria si instrument presioni ndaj bizneseve të ndershme.

Ajo u ndal në rastin e News24, duke theksuar se shqetësimi ishte ngritur edhe nga Këshilli i Europës. Sipas Tabakut, Paqja Fiskale po zbatohet pa transparencë dhe rrezikon të kthehet në favor për bizneset pranë qeverisë.

“Vjet ngritëm rastin e News24 kur Tatimet u përdorën si presion ndaj biznesit të ndershëm, shqetësim që u ngrit edhe nga Këshilli i Europës dhe Reporterët. Ke një ekonomi informale që operon sot në Shqipëri.

Kur u miratua Paqja Fiskale një shqetësim ka qenë edhe transparenca, ku duhej bërë transparencë me listën e fituesve.

Amnistia nuk mund të jetë një ligj i preferuar me ata që janë afër qeverisë. Nëse amnistia është mjet preferencial kthehet në mjet selektiv dhe prek konkurrencë.

Aktet nënligjore duhet të ishin miratuar menjëherë, caktojnë “rregullat” si zbatohet Paqja.

Nuk mund të jetë paqja fiskale favor për biznese afër qeverisë.

Kontrollet fiskale përdoren edhe si mjet presioni ndaj biznesit. Shumë kolegë edhe të majtë e kanë ngritur zërin për këtë problem edhe në Kuvend. Gjoba përdoret si instrument frike dhe presioni”, tha ajo.