
Prefektura e Qarkut Shkodër ka informuar mbi situatën aktuale të motit dhe prurjeve në territor, pas reshjeve intensive dhe shtimit të prurjeve në kaskadën e lumit Drin gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH), pas monitorimit të vazhdueshëm dhe vlerësimit për administrimin e prurjeve, ka nisur shkarkime të kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e Drinit: Hidrocentrali i Fierzës, Hidrocentrali i Komanit dhe Hidrocentrali i Vau i Dejës.
Që prej pasdites së djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si edhe e Liqenit të Shkodrës. Në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezik për banesat deri në këto momente.
Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji në nivelin 40–50 cm, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve të vogla. Në terren ndodhen dy mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilët janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë emergjente.
Situata në akset malore
Në aksin Bogë–Theth, reshjet intensive të borës vijojnë të ndikojnë qarkullimin, ndërsa Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të orteqeve. Po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e rrugës.
Në aksin Hani i Hotit–Vermosh raportohen reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra, ku qarkullimi lejohet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.
Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika deri në këto momente. Strukturat e mbrojtjes civile dhe institucionet vendore vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe mbeten në gatishmëri të plotë, duke garantuar koordinim për sigurinë e qytetarëve.