Vendosni fjalën kyçe....

Kamala Harris kryeson sondazhet paraprake brenda Demokratëve për presidencialet 2028


Mesatarja e sondazheve për ish-zëvendëspresidenten Kamala Harris tregon se ajo kryeson ndaj figurave të tjera potenciale demokrate që mund të hyjnë në garën presidenciale të vitit 2028, bazuar në të dhënat e publikuara nga platforma Race to the White House.

Sipas informacionit në faqen zyrtare të kësaj organizate, Harris regjistron një mesatare kombëtare prej 27.5%, ndërsa Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, renditet i dyti me 22.7%.

Më poshtë në renditje gjendet anëtarja e Kongresit Alexandria Ocasio-Cortez me një mesatare prej 9%, e ndjekur nga ish-Sekretari i Transportit Pete Buttigieg me 8.7%. Ndërkohë, Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, ka një mbështetje mesatare prej 4.9%, ndërsa Guvernatori i Ilinoisit, J. B. Pritzker, arrin në 3.4% në nivel kombëtar.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Harris, Newsom dhe Ocasio-Cortez konsiderohen si emrat më të përfolur për një kandidim të mundshëm në vitin 2028, sipas raportimit të revistës Newsweek.

Sipas kësaj medie, ndonëse Harris udhëheq në sondazhet e hershme paraprake, tregu i parashikimeve dhe basteve në platformën Kalshi favorizon Newsom-in, duke i atribuar atij 32% probabilitet për të siguruar nominimin. Ocasio-Cortez renditet me 9% në këtë treg, ndërsa Harris, Ossoff dhe Shapiro vlerësohen secili me nga 7% shanse për t’u shpallur kandidatët zyrtarë të partisë, shkruan Breitbart.

Megjithatë, një tjetër sondazh i realizuar nga Focaldata më 10 shkurt, me një kampion prej 1,148 të anketuarish, konfirmon epërsinë e Harris me 39% mbështetje, krahasuar me 21% për Newsom. Në të njëjtin sondazh, Ocasio-Cortez siguron 10%, ndërsa Buttigieg dhe Shapiro marrin nga 7% secili.