Vendosni fjalën kyçe....

Anila Bisha padit qeverinë për përdorimin e imazhit si “Diella”, kërkon 1 mln euro dëmshpërblim



Aktorja e Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Anila Bisha, imazhi dhe zëri i së cilës përdoren nga ministrja virtuale “Diella”, ka ngritur më 9 shkurt një padi në Gjykatën Administrative, duke kërkuar ndalimin e përdorimit të të dhënave të saj dhe një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh për dëmtim imazhi.

Lidhur me këtë çështje ka raportuar edhe Reuters, ku ka folur avokati i saj, Aranit Roshi. Ai është shprehur se ligji parashikon gjoba deri në 21 milionë euro për institucionet shtetërore në rastet e shkeljes së të dhënave personale, duke e cilësuar kërkesën për 1 milion euro si të arsyeshme.

Sipas Bishës, ajo nuk ka dhënë kurrë pëlqimin që pamja e saj të përdorej në këtë formë, duke theksuar se situata i ka shkaktuar ngacmime në internet dhe vëmendje të padëshiruar në jetën e përditshme.
“Në fillim u habita, buzëqesha dhe thashë se duhet të jetë shaka. Tani njerëzit më thërrasin Diella dhe më konsiderojnë si një ministre tjetër të qeverisë. Njerëzit që nuk e pëlqejnë kryeministrin, tani më urrejnë edhe mua”, ka deklaruar ajo për Reuters.

Nga ana tjetër, qeveria ka mohuar pretendimet, duke i cilësuar ato të pabazuara. Zyra e shtypit e qeverisë është shprehur se “padia është pa kuptim”, por ka shtuar se mirëpret zgjidhjen e çështjes në gjykatë.

Imazhi i “Diellës” shfaqet në faqen zyrtare të qeverisë në rreshtin e parë të kabinetit, pranë fotografive të Edi Rama dhe Belinda Balluku.

Në padi, Bisha pretendon se përdorimi i imazhit të saj për “Diellën” përbën shkelje të kontratës, e cila sipas saj ishte nënshkruar vetëm për rolin e asistentes virtuale për shërbimet në “e-Albania”. Ajo ka paditur Këshilli i Ministrave i Shqipërisë, kompaninë “Apel shpk”, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe kryeministrin Rama.

Sipas aktores, kur kryeministri prezantoi për herë të parë “Diellën” në shtator 2025, ajo është ndjerë e befasuar kur ka konstatuar se avatari ishte ndërtuar mbi imazhin e saj.