Vendosni fjalën kyçe....

Rama: TikTok rihapet pas një viti bllokimi, vendimi erdhi pas dialogut dhe masave të reja të sigurisë



Kryeministri Edi Rama ka folur në podcastin e tij “Flasim” për rihapjen e platformës TikTok në Shqipëri, pas bllokimit që zgjati rreth një vit. Rama theksoi se ky vendim ishte paralajmëruar më herët dhe është rezultat i një procesi serioz rishikimi dhe bashkëpunimi me kompaninë.

Sipas kryeministrit, pas vendimit për bllokimin e TikTok, platforma ka treguar gatishmëri për dialog me autoritetet shqiptare. “Për befasinë tonë të këndshme dhe pozitive, TikTok ishte i hapur dhe aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne pasi bëmë bllokimin. TikTok nuk na ka çuar në gjyq”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se rihapja e aplikacionit nuk përbën një tërheqje nga qëndrimet e mëparshme dhe as mbyllje sysh ndaj problematikave të evidentuara. “Vendimi ynë nuk është dorëzim e aq më pak mbyllje sysh, por rezultat i një procesi serioz rishikimi dhe i një pune konkrete për adresimin real të shqetësimeve”, deklaroi kryeministri.

Rama nënvizoi se thelbi i këtij procesi ka qenë rritja e sigurisë dhe vendosja e filtrave të nevojshëm për kontrollin e përmbajtjes, duke sqaruar se bëhet fjalë për kontroll në kuptimin pozitiv dhe jo për censurë. Fokus i veçantë, sipas tij, ka qenë mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve nga përmbajtjet e dëmshme.

“Sot TikTok është i aksesueshëm sërish sepse ka mekanizma të rinj sigurie. Ky ishte edhe qëllimi i bllokimit në radhë të parë”, përfundoi Rama.