Vendosni fjalën kyçe....

Trump: SHBA nuk do të përdorë forcë për të marrë Groenlandën


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përjashtuar përdorimin e forcës për marrjen nën kontroll të Groenlandës, duke deklaruar se Uashingtoni synon negociata të menjëhershme për këtë çështje.

Deklaratat u bënë gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, i cili u zhvillua në një klimë tensionesh në rritje mes SHBA-së dhe Europës.

“Njerëzit menduan se do të përdorja forcën, por nuk kam nevojë ta përdor. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do ta përdor forcën”, u shpreh Trump përpara liderëve politikë dhe ekonomikë botërorë, sipas Reuters.

Ai e minimizoi çështjen, duke e quajtur kërkesën amerikane një “kërkesë të vogël” për një “copë akulli”, ndërsa insistoi se marrja e Groenlandës nga SHBA nuk do të përbënte kërcënim për aleancën e NATO-s, pjesë e së cilës janë edhe Danimarka edhe Shtetet e Bashkuara.

Trump theksoi se asnjë vend tjetër apo grup vendesh nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e Groenlandës përveç SHBA-së.

“Asnjë komb apo grup kombesh nuk është në pozicion ta sigurojë Groenlandën përveç Shteteve të Bashkuara”, deklaroi ai, duke shtuar se po kërkon “negociata të menjëhershme për të diskutuar sërish marrjen e Groenlandës nga SHBA”.

Sipas tij, interesi amerikan lidhet drejtpërdrejt me sigurinë globale.

“Ne duam një copë akulli për mbrojtjen e botës dhe ata nuk po na e japin”, tha Trump në sallën e mbushur plot me përfaqësues të biznesit dhe politikës.

Strategjia e Trump për Groenlandën ka shkaktuar shqetësim te drejtuesit e NATO-s, të cilët kanë paralajmëruar se kjo qasje mund të tronditë aleancën.

Ndërkohë, autoritetet e Danimarkës dhe të Groenlandës kanë sinjalizuar gatishmëri për një prani më të madhe amerikane në ishullin strategjik me rreth 57 mijë banorë, por pa ndryshuar statusin e tij.