Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytjet në Shkodër, rreth 900 hektarë ende nën ujë



Rreth 900 hektarë tokë vijojnë të mbeten nën ujë në qarkun e Shkodrës, konkretisht në Bashkinë Shkodër dhe Bashkinë Vau Dejës. Megjithatë, situata paraqitet në përmirësim krahasuar me një ditë më parë, pasi është konstatuar ulje e niveleve të ujit në disa nga zonat e prekura.

Në zonën e Obotit është evidentuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore ka prezencë uji rreth 100 cm, nga 110 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar një ulje prej rreth 10 cm. Ky aks vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Në Obot ka banesa me ujë në oborre, por deri më tani nuk raportohet për depërtim të ujit në brendësi të tyre.

Në bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Vukpalaj, rreth 20 banesa kanë ende ujë në oborre, por niveli ka rënë krahasuar me ditët e mëparshme. Nuk raportohet prezencë uji në tokat bujqësore, ndërsa të gjitha livadhet nga Vija e Vrakës (Njësia Administrative Gruemirë) deri në fshatin Gashaj (Njësia Administrative Kastrat) mbeten të përmbytura si pasojë e prurjeve nga Liqeni i Shkodrës.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat–Shirq, është konstatuar gjithashtu ulje e nivelit të ujit me rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë ujë në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa rrezik për banesat.

Sa i përket qarkullimit rrugor, akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë të kalueshme, por autoritetet kërkojnë respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimin e gomave dimërore ose zinxhirëve. Në zonën e Qafë Thorës nuk është evidentuar rrezik nga ortekët.