Vendosni fjalën kyçe....

Hero me uniformë blu, Policia nderon inspektorin që shpëtoi një jetë nga flakët



Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vlerësuar me “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” inspektorin Marsel Bicja, për ndërhyrjen e tij profesionale dhe humane, falë së cilës u shpëtua jeta e një qytetari që rrezikonte të digjej pas shpërthimit të një bombe molotov.

Sipas motivacionit zyrtar, certifikata u akordua “në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si misionin kryesor të Policisë së Shtetit”.

Vlerësimi iu dorëzua personalisht nga Drejtori i Përgjithshëm gjatë aktivitetit të festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Në fjalën e tij, Ilir Proda falënderoi inspektorin Bicja për veprimin e guximshëm, duke theksuar se ky rast dëshmon edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve.

Nga ana e tij, Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, vlerësoi ndërhyrjen e punonjësit të repartit “Shqiponjat”, duke theksuar se veprimi i tij nuk kishte nevojë për komandë, por u udhëhoq nga uniforma që mban veshur dhe ndjenja njerëzore.

Ndërsa inspektor Marsel Bicja shprehu mirënjohjen për vlerësimin e marrë, duke deklaruar se veproi pa hezitim, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.