Vendosni fjalën kyçe....

Afrika e Jugut/ 9 të vrarë dhe 10 të plagosur nga të shtënat me armë


Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në një lagje në jugperëndim të Johannesburg, njoftoi të dielën Policia e Afrikës së Jugut.

Sipas një deklarate zyrtare, ngjarja ka ndodhur pak para orës 01:00 të mëngjesit, në një lokal të licencuar në lagjen Bekkersdal, përcjell Reuters.

Rreth 12 persona të armatosur, të cilët udhëtonin me një minibus të bardhë dhe një automjet të argjendtë, kanë hapur zjarr ndaj klientëve të lokalit dhe kanë vazhduar të qëllojnë në mënyrë të rastësishme edhe gjatë largimit nga vendngjarja.

Autoritetet bëjnë me dije se të plagosurit janë dërguar në qendrat shëndetësore për të marrë trajtim mjekësor, ndërsa policia ka nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë dhe pritet të zbardhet nga hetimet.

Bekkersdal është pjesë e bashkisë Rand West City, një zonë e cila karakterizohet nga nivele të larta papunësie dhe varfërie, kryesisht si pasojë e rënies së industrisë së minierave të arit.

Afrika e Jugut, ekonomia më e madhe e kontinentit afrikan, vazhdon të përballet me nivele shumë të larta kriminaliteti. Sipas statistikave zyrtare, vendi regjistron mesatarisht rreth 60 vrasje në ditë, duke e renditur ndër shtetet me normat më të larta të vrasjeve në botë.