Vendosni fjalën kyçe....

Plagosje me armë zjarri në Kukës, në kërkim dy vëllezër


Dy persona janë plagosur me armë në Kukës pasditen e sotme. Të plagosur kanë mbetur 36-vjeçari Amarildo Cena dhe 65-vjeçari Sadik Kapica.

Sipas policisë, dyshohet se autorë të plagosjes janë vëllezërit Fatri Iseberi, 39 vjeç dhe Ndriçim Iseberi, 38 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim.

Njëri nga të plagosurit ka plagë në kofshë ndërsa tjetri është goditur me qytën e pistoletës në kokë.

Njoftimi

“Rreth orës 14:35, në qytetin e Kukësit, në rrethana ende të paqarta, janë plagosur me armë zjarri shtetasit A. C., 36 vjeç, dhe S. K., 65 vjeç.

Nga hetimet paraprake dyshohet se autorë janë shtetasit F. I., 39 vjeç, dhe N. I., 38 vjeç, (vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, për dokumentimin ligjor të rastit.”