Vendosni fjalën kyçe....

Inxhinierja gjermane bëhet personi i parë me paraplegji që udhëton në hapësirë



Inxhinierja gjermane Michaela Benthaus, 33 vjeç, bëhet e para person me paraplegji që udhëton në hapësirë. Udhëtimi i shkurtër nën-orbital u realizua të shtunën nga kompania e turizmit hapësinor e miliarderit amerikan Jeff Bezos, Blue Origin, përcjell DW.

Ky ishte fluturimi i 16-të i ekuipazhit për kompaninë. Përveç Benthaus, në bord ishin ish-inxhinieri hapësinor gjerman Hans Königsmann dhe katër sipërmarrës amerikanë.

Fluturimi i New Shepard NS-37 nisi nga prona e Bezos në West Texas në orën 8:15 të mëngjesit, kohë lokale (14:15 UTC), dhe zgjati rreth 11 minuta. Anija arriti një lartësi prej rreth 100 kilometrash, ku pasagjerët përjetuan një moment të shkurtër pa peshë.

Deri tani, dhjetëra persona kanë udhëtuar në hapësirë me Blue Origin, përfshirë këngëtaren Katy Perry dhe aktorin e “Star Trek”, William Shatner. Kompania synon të konkurojë me SpaceX të Elon Musk.

Pas kthimit në Tokë, Benthaus u shpreh e entuziazmuar:

“Ishte eksperienca më e mrekullueshme ndonjëherë, sinqerisht.”

Ajo shtoi se nuk duhet kurrë të heqim dorë nga ëndrrat, edhe kur shanset duket se janë të ulëta.

Michaela Benthaus u dëmtua në shpinë gjatë një aksidenti me biçikletë malore në moshën 26-vjeçare dhe tani përdor karrocë me rrota. Ajo bëri thirrje për përmirësimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara:

“Pas aksidentit tim, kuptova sa e paaksesueshme është ende bota jonë. Duhet të krijohen kushte për personat me aftësi të kufizuara për të formuar një shoqëri gjithëpërfshirëse.”