
Mark Fleming, zëvendës ndihmëssekretar i Shtetit në SHBA, mbërriti të mërkurën e 29 tetorit në Tiranë, ndërsa raundin e parë të takimeve e kishte dukshëm me prioritet SPAK-un. Mësohet se zoti Fleming ka takuar prokurorët Altin Dumani dhe Adnan Xholi. Përmbajtja e bisedës është e paqartë, por skenari i kësaj vizite larg bujës së mediave sugjeron se qëllimet kanë qenë më tepër operative sesa simbolike.
Në kuadër të mbështetjes dhe rakordimit të SPAK-ut, zoti Fleming ka takuar ministren e Brendshme të Shqipërisë si dhe ministrin e Drejtësisë, z. Lamallari. Mësohet se këtij të fundit i ka dhënë mesazhin se SPAK konsiderohet si një aset dhe investim i çmuar i SHBA-ve, dhe se qeveria shqiptare duhet të mbajë distancë nga procesi i zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut.
Drejtuesi i Kuvendit, Niko Peleshi, ishte gjithashtu në një takim me zotin Fleming.
Mëngjesin e së enjtes, më 30 tetor, zoti Fleming ka takuar një grup deputetësh të opozitës, të kryesuar nga Gazmend Bardhi. Ky i fundit mësohet se ka folur në takim, ndër të tjera, për implikimet e zv/kryeministres Balluku, si dhe për kërcënimet që ka marrë prokurori i çështjes së saj, Dritan Prençi. Bardhi ka theksuar në takim se është e rëndësishme që prokurori Prençi të mbështetet, qoftë edhe përballë rrymave të brendshme brenda SPAK-ut që mund të sabotojnë punën e tij.
Nga ana e tij, zoti Fleming theksoi në takim se opozita duhet të mbështesë SPAK-un dhe t’i japë fund retorikës së sulmeve ndaj këtij institucioni, duke ripërsëritur vlerën e tij si aset.
Me finesë diplomatike, ai la të nënkuptuar se i njihte mirë dhe në detaje çështjet dhe shqetësimet që shtroi Gazmend Bardhi në takim.
Zoti Fleming është zëvendësuesi i “të famshmit” Gabriel Escobar, ndërsa vizitat e këtij të fundit paralajmëroheshin një javë më parë dhe fotografët ishin përherë gati kur ai pozonte me kryeministrin Rama.
Kësaj here, kryeministri ndodhej jashtë vendit, ndërsa tradita diplomatike e do që në këto raste në takim të jetë zëvendësja e tij, znj. Balluku – e cila, dukshëm, është anashkaluar.
Për shkak se administrata amerikane po kalon një periudhë suprimimi fondesh këto javë, ky fakt u përdor si pretekst nga ana e zotit Fleming, i cili u tha të gjithë zyrtarëve që takoi se këto takime nuk do të publikoheshin në rrjetet sociale të ambasadës sonë në Tiranë. /Hashtag.al/
