Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali në Memorialin e Holokaustit: Shqipëria nderohet si e drejtë mes kombeve për shpëtimin e hebrenjve


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj në Izrael, ka ndaluar në qendrën përkujtimore të Holokaustit “Yad Vashem”, ku është dokumentuar përndjekja dhe vrasja e gjashtë milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali ka shprehur krenarinë për rolin e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë periudhës së pushtimit nazist, duke e cilësuar si një akt të thellë njerëzor dhe kombëtar.

“Krenare që Shqipëria nderohet e vlerësohet si e drejtë mes kombeve, me refuzimin për çnjerëzimin dhe dorëzimin e hebrenjve në duart e persekutorëve, duke hapur dyert, shtëpitë dhe zemrat për ta, me një akt njerëzor e kombëtar që sot është pjesë e trashëgimisë sonë morale dhe historike”, shkroi Spiropali.

Ajo theksoi se vizita në “Yad Vashem” ishte një moment reflektimi mbi një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë njerëzore, duke nënvizuar se kujtesa historike është thelbësore për ruajtjen e vlerave humane dhe demokratike.

Shqipëria është ndër të paktat vende që gjatë Luftës së Dytë Botërore jo vetëm që nuk dorëzoi hebrenjtë tek nazistët, por i strehoi dhe i mbrojti, duke u vlerësuar nga “Yad Vashem” si “e drejtë mes kombeve” për kontributin e saj në shpëtimin e jetëve njerëzore.

Spiropali në Memorialin e Holokaustit