Vendosni fjalën kyçe....

Gjermanët mund të ndryshojnë gjininë çdo vit


Qytetarët gjermanë do mund të ndryshojnë gjininë e tyre në dokumente ligjore pa iu nënshtruar një operacioni apo terapisë hormonale, sipas një projektligji të ri të miratuar nga Bundestag të premten e kaluar.

Ai parashikon se mjafton një kërkesë gojore, duke eliminuar nevojën për vlerësimin e ekspertit, i cili më parë ishte i detyrueshëm. Ligji hyn në fuqi në nëntor.

Legjislacioni për “vetëvendosjen” e gjinisë u mbështet nga 374 deputetë, kryesisht nga koalicioni qeverisës, me 251 ligjvënës të tjerë kundër dhe 11 të tjerët abstenuan.

Rregulloret e tanishme datojnë që nga viti 1981 dhe thonë se individët që dëshirojnë të ndryshojnë gjininë duhet së pari t’i nënshtrohen dy vlerësimeve psikologjike. Vendimi përfundimtar sipas atij ligji i takon gjykatës së rrethit.

Koalicioni qeverisës i kancelarit Olaf Scholz argumentoi se procedurat ekzistuese ishin degraduese ndaj individëve transgjinorë, pasi ata duhej të ndanin hollësi intime me zyrtarët.

Sipas ligjit të ri, prindërit do lejohen të bëjnë një kërkesë për të ndryshuar gjininë e një fëmije në moshën pesë vjeçare, me pëlqimin e fëmijës prezent. Të miturit mbi 14 vjeç do mund të ndryshojnë vetëm emrin dhe gjininë, për sa kohë që kanë pëlqimin e prindërve ose përfaqësuesve ligjorë.

Individët do lejohen të bëjnë një ndryshim një herë në vit. Gjermanët do kenë gjithashtu të drejtën të zëvendësojnë fjalët “nënë” dhe “baba” në regjistrin familjar me termin asnjanës “prind”.

Individët jobinarë mund të regjistrohen si “të ndryshëm” në vend që të zgjedhin midis “mashkull” dhe “femër”. Sipas legjislacionit të miratuar së fundmi, kushdo që përpiqet të ekspozojë identitetin e kaluar gjinor të një individi mund të gjobitet deri në 10,000 euro.

Ligji ua lë në dorë saunave, pishinave, palestrave dhe objekteve të tjera sportive të vendosin nëse do lejohen meshkujt biologjikë në dhomat e zhveshjes dhe tualetet e grave. Kur bëhet fjalë për sportet konkurruese, shoqatat individuale mund të vendosin nëse meshkujt biologjikë që identifikohen si femra mund të konkurrojnë kundër femrave.

Projektligji u përball me një debat të ashpër në Bundestag të premten, me komisionerin e qeverisë për çështjet LGBTQ+, Sven Lehmann, duke e përshëndetur atë si historik dhe duke i dhënë fund “shpërdorimit të të drejtave të njeriut”.

Sahra Wagenknecht, një ish-udhëheqëse e Partisë së Majtë që tani drejton partinë e saj, paralajmëroi se me meshkujt që tani lejohen të shpallin veten femra, “të drejtat e mbrojtjes së grave dhe strehimoret për mbrojtjen e grave janë një gjë e së kaluarës”.

Një përfaqësues i partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) tha se projektligji përbën një kërcënim për të rinjtë, duke e denoncuar atë si “transhipe”.