Vendosni fjalën kyçe....

Rama kritikon kryebashkiakët për “Paketën e Maleve”: Jeni shumë vonë, pse nuk keni dorëzuar hartat e zonave prioritare?


Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me të gjithë kryebashkiakët e vendit për të diskutuar mbi ecurinë e “Paketës së Maleve”, një ligj i miratuar në fillim të këtij viti që synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në zonat malore të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Rama kritikoi ashpër vonesat e bashkive në dorëzimin e hartave të zonave prioritare, duke i akuzuar për neglizhencë dhe për mbajtjen në pritje të shumë personave që kanë shprehur interes për të investuar në kuadër të kësaj nisme.

“E pamë të udhës ta bëjmë këtë takim publik, sepse ne besojmë që bëhet fjalë për një politikë nxitëse për të krijuar një platformë investimesh në territoret malore. Fakti që në ditën e parë që u hap kanali i komunikimit online lidhur me këtë paketë pati 800 shprehje interesi, nga shumica dërrmuese shqiptarë jashtë Shqipërisë, flet vetë për fuqinë tërheqëse që ka kjo paketë,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se procesi po ecën me një ritëm shumë të ulët, në kundërshtim me frymën me të cilën u konceptua ligji.

“Kemi shqetësimin që po ecën me një ritëm të ulët në raport me atë që paketat kanë në thelb — shpejtësinë. Kjo vonesë është dekurajuese për ata që kanë shprehur interes dhe nuk kanë marrë përgjigje prej muajsh. Kjo është e kundërta e frymës me të cilën u aprovua kjo paketë,” deklaroi ai.

Rama pranoi se paketa ka ende ngarkesa burokratike, por shtoi se këto nuk justifikojnë vonesat e bashkive.

Ai iu drejtua drejtpërdrejt disa kryebashkiakëve, duke i kërkuar sqarime për mungesën e veprimeve konkrete.

“Vonesa është e juaja. Ti, Kreshnik, çfarë të ka penguar që të bësh hartën e zonave prioritare dhe ta dërgosh në qeveri?” pyeti Rama.

Duke iu referuar problematikave të pronësisë në zonat malore, Rama shtoi se “Paketa e Maleve” synon të zgjidhë një ngërç që ka zgjatur prej dekadash.

“Kjo paketë është ilaçi për një lidhje 30 e kusur vjeçare të njerëzve që e kanë tokën, por nuk e kanë pranuar 7501 dhe për arsye të ndryshme nuk kanë marrë dokumentin që i jep pronësinë ligjore. Ne bëmë ligjin 20/20 për të adresuar këtë problem, por rezultati nuk ishte i dëshiruari për shkak të komplikimeve të shumta. Paketa e Maleve jep përgjigje edhe për këtë problematikë që nuk ia jep ligji,” u shpreh Rama.