
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin e tij nga qelia.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, reagoi pas vendimit duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe me pasoja të rënda ligjore.
Sipas tij, gjykata ka krijuar një precedent të rrezikshëm duke mbajtur në burg pa bazë ligjore një person që, sipas mbrojtjes, ka tejkaluar afatin maksimal të qëndrimit në paraburgim.
“I kërkuam gjykatës shuarjen e masës së sigurimit, pasi janë plotësuar të gjitha kriteret e parashikuara në ligj. Problemi është se ne bëjmë kërkesa të bazuara, por gjykata nuk i merr parasysh. Në fund dëgjon prokurorët që flasin dy minuta dhe vendos në favor të tyre,” deklaroi Cakrani.
Ai shtoi se procesi ndaj Metës po zhvillohet në mënyrë të paqartë dhe pa transparencë:
“Sot gjykata krijoi precedent, mbajtjen pa ligj të presidentit në qeli. Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë seanca apo çfarë do të ndodhë me gjyqin. Jemi në errësirë totale. Gjykata e rrëzoi kërkesën tonë, pa dhënë ende vendimin e arsyetuar.”
Sipas avokatit, afati ligjor njëvjeçar për qëndrimin në paraburgim është ezauruar që dje, ndaj çdo ditë e mëtejshme në qeli përbën, sipas tij, shkelje të të drejtave të klientit të tij.