Vendosni fjalën kyçe....

Projektligji për pronat publike, opozita përplaset me PS-në: Tërhiquni, antikushtetues e klientelist


Deputetët e PD-së Dhurata Çupi e Arbi Agalliu i kanë kërkuar PS-së që të tërhiqet nga projektligji për pronat publike.

Çupi tha se projektligji në fjalë është antikushtetues, abuziv dhe klientelist që do marrë pronat publike dhe do ia japë privatit për kulla.

“Ju kërkoj ta tërhiqni këtë pr.ligj, është antikushtetues, i porositur që do të marrë edhe  ato pak prona shtetërore që i kanë mbetur shtetit, pronat shtetërore do i jepen privatit për kulla. Pr.ligj që i jepen klientëve të qeverisë që kanë marrë në bregdet pronat me ligjin për investimet strategjike, është ligj antikushtetues, shkatërron vendin. Vetëm kryeministria do mbetet nesër se atë nuk e lëshon, çdo godinë shtetërore do i jepet privatit”, tha Çupi.

Ndërkohë Agalliu tha se ligji u dhuron pronat publike oligarkëve dhe se amendamentet e projektligjit nuk kanë kaluar për konsultim publik.

“Nuk është propozimi juaj, ju keni propozuar kalimin nga Ministria e Financave te e Ekonomisë, Janë amendamente që s’kanë kaluar konsultim publik. Keni futur javën e kaluar dy amendamente që ndryshojnë thelbin e këtij pr.ligji, duhet ta tërhiqni, ta kaloni në konsultim publik. Abuzim me pronat publike janë të tmerrshme. T’i dhurosh oligarkut atë që deri dje e mbulonit me ligjin për investitorët strategjik. Për aq kohë sa janë shtuar amendamente të reja, këtu fshihet abuzimi me pronën. Është të vjedhësh me lezet, kjo është në fund të ditës. Nuk është meraku i madh i përdorimit të këtyre pronave publike”, tha Agalliu.