
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas mbledhjes së grupit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për dhunim të të drejtave të opozitës dhe shkelje të rregullores së Kuvendit.
“Në sallën e Kuvendit duhet të sillet brenda rregullave, të prezantojë përbërjen e anëtarëve të këshillit dhe më pas secili prej nesh ishim përgatitur për të zhvilluar debat konstruktiv parlamentar. Rama nuk do t’i diktojë sjelljen opozitës, s’do t’ia mbyllë dot gojën, dhe do duhet të respektonte Kushtetutën dhe solemnitetin e një seance që është e vetmja që rendin e ditës e ka të caktuar nga Kushtetuta,” tha Bardhi.
Ai akuzoi kryetarin e Kuvendit dhe ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, duke i quajtur “kukulla të komanduar nga Klodian Zoto dhe Rama”.
“Gjatë fjalës së Ramës, kryetari i Kuvendit, një kukull e komanduar nga Zoto dhe Rama, i dha dy herë fjalën për të bërë propozime kreut të grupit të PS dhe ndërkohë që sipas rregullores për çdo propozim ka të drejtën e fjalës një folës pro dhe një folës kundër. Në emër të grupit kemi kërkuar dy herë fjalën për të shprehur qëndrimin tonë për deputetët e mazhorancës. Ta nisësh seancën e dytë përsëri me shkelje të Kushtetutës dhe të rregullores, duke dhunuar të drejtat e opozitës, këtë mund ta bëjë vetëm kukulla e Klodian Zotos,” u shpreh Bardhi.
Ai përsëriti se opozita do të vijojë betejën në Kuvend dhe nuk do të lejojë, sipas tij, tentativat e Ramës për të mbyllur zërin e saj.