Vendosni fjalën kyçe....

20 të vdekur pas përmbysjes së kamionit me ndihma në Gazë


Një tjetër tragjedi ka ndodhur në Rripin e Gazës, ku të paktën 20 persona humbën jetën pasi një kamion me ndihma u përmbys pranë kampit të refugjatëve Nuseirat, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës.

“Njëzet persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën rreth mesnatës, kur një kamion që transportonte ndihma u përmbys ndërsa qindra civilë po prisnin ushqim,” tha zëdhënësi Mahmud Bassal për agjencinë AFP, përcjell The Guardian.

Grupi Hamas akuzoi Izraelin për detyrimin e shoferëve të ndihmave që të ndjekin rrugë të pasigurta, gjë që, sipas tyre, “shpesh përfundon me turma të dëshpëruara që sulmojnë kamionët”.

Në një deklaratë, zyra e medias e Hamasit tha se kjo situatë po rrezikon jetën e civilëve të uritur.

Ndërkohë, situata humanitare vazhdon të përkeqësohet. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, pesë palestinezë të tjerë vdiqën nga kequshqyerja vetëm në 24 orët e fundit.