
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, ka reaguar për mediat pas daljes nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ku klientit të tij iu komunikua zyrtarisht aktakuza për çështjet CEZ-DIA dhe lobimin e ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Sipas Cakranit, prokuroria nuk paraqiti asnjë provë të re në mbështetje të akuzave dhe ende nuk ka dhënë përgjigje për kërkesën e mbrojtjes për të identifikuar personin që ka kryer pagesat për lobimin në emër të LSI-së.
“Nuk ka asnjë gjë të re për çështjen CEZ-DIA apo për lobimin. Zoti Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe ka kërkuar hetime të thelluara për të zbuluar kush ka kryer pagesat. Ata s’kanë asnjë informacion për këtë,” tha ai.
Avokati u shpreh se akuzat nuk qëndrojnë, duke theksuar se nuk ka prova konkrete që e lidhin Metën me veprat penale të pastrimit të parave apo korrupsionit.
“Akuzat janë thuajse të rrënuara. Çështja CEZ-DIA ka prej vitesh që hetohet dhe tani është përmbledhur në vetëm 30 faqe. Ndërkohë që ne kemi 116 fashikuj, afro 60 mijë faqe dokumente dhe prova që tregojnë se zoti Meta nuk ka asnjë pasuri të paligjshme, asnjë gjurmë korrupsioni,” deklaroi Cakrani.
Ai shtoi se verifikimet janë bërë në banka dhe institucione financiare të vendeve të BE-së dhe se rezultatet e tyre kanë qenë të pastra.
“Meta ka zero korrupsion dhe zero pasuri të vendosur nga korrupsioni,” nënvizoi Cakrani.
Mbrojtja konfirmon se procesi do të ndiqet në rrugë të zakonshme gjyqësore dhe se nuk ka pasur tensione gjatë seancës në SPAK.
“Nga ana ligjore ne do të ndjekim çdo procedurë të rregullt. Por kjo çështje nuk mund të ndahet nga aspekti politik është e qartë që kemi të bëjmë me një proces të ngarkuar politikisht,” përfundoi avokati i Metës.