
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një lidhjeje “live” në rrjetet sociale, pas dy takimeve të zhvilluara në Vlorë dhe Tiranë, që u pasuan nga dorëheqja e të gjithë drejtorëve të Bashkisë së Vlorës.
Kreu i qeverisë u ndal te mandati i katërt i fituar nga Partia Socialiste, duke paralajmëruar se kushdo që mendon se ky mandat është një arsye për të “fjetur gjumë”, e ka shumë gabim.
Rama theksoi se mandati i katërt për të dhe për qeverinë është një angazhim i shtuar për të punuar më shumë dhe për të mos u ndalur.
“Kemi marrë 83 mandate falë besimit të qytetarëve dhe këto janë detyrime më shumë ndaj njerëzve. Nëse disa brenda nesh e shohin si një arsye më shumë për të fjetur, u them që e kanë gabim dhe duhet të zgjohen një orë më parë, sepse 83 mandatet janë një arsye për të fjetur më pak se ç’kemi fjetur deri tani”, u shpreh Rama.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu nisjen e një procesi të gjerë të ashtuquajtur “pastrimi i shtëpisë së përbashkët”, që sipas tij do të fillojë në dyjavëshin e dytë të muajit korrik.
Ai theksoi se brenda dy javëve të ardhshme duhet të përgatiten inventarët e të gjitha zonave dhe të gjitha çështjeve që lidhen me problematikat administrative.
“Në dyjavëshin e dytë të korrikut do të vazhdojmë me të gjitha forcat për të mos u ndalur më, për të ngritur në hava shtëpinë tonë të përbashkët, siç e ngrenë amvisat. Kjo do të jetë një fushatë intensive për të rregulluar dhe pastruar gjithçka që nuk funksionon siç duhet”, tha Rama.
Ai theksoi se qeveria dhe Partia Socialiste duhet të jenë të parat që tregojnë shembullin e përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj qytetarëve, duke u angazhuar më shumë dhe duke mos lejuar vetëkënaqësinë apo stagnimin pas fitores së mandatit të katërt.