Vendosni fjalën kyçe....

Balla: Janë trefishuar eksportet bujqësore, transformimin e bujqësisë mund ta bëjë vetëm PS


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë një fjale në Parlament, deklaroi se eksportet bujqësore të Shqipërisë janë trefishuar në krahasim me periudhën e qeverisjes së Partisë Demokratike.

Ai theksoi se ky sukses është rezultat i politikave të ndjekura nga Partia Socialiste në mbështetje të fermerëve dhe prodhimit vendas.

“Nëse në kohën e PD-së Shqipëria importonte 9 kilogramë domate për çdo njësi, sot importon vetëm 3 kilogramë. Kjo tregon qartë rritjen e prodhimit vendas dhe forcimin e sektorit bujqësor,” deklaroi Balla.

Duke u ndalur te zhvillimi i agro-turizmit, ministri bëri me dije se aktualisht janë mbi 1000 projekte të mbështetura në fshatra, nga të cilat rreth 300 janë njësi agro-turizmi.

 “Në kohën tuaj nuk ekzistonte fare koncepti i agro-turizmit. Sot kemi 300 njësi të tilla dhe synimi ynë është që shumë shpejt të arrijmë në 1000 njësi agro-turizmi në të gjithë vendin,” tha Balla, duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimit rural dhe diversifikimit ekonomik në zonat e thella.

Ministri shtoi se investimet në infrastrukturën bujqësore janë rritur ndjeshëm dhe se sot Shqipëria ka arritur në 300 mijë hektarë me sistem vaditës funksional.

“Fshati llafe nuk ka. Ne kemi shkuar në 300 mijë hektarë që kanë sistem vaditës dhe synojmë të mbyllim nevojën për ujitje të çdo familjeje që jeton në zonat rurale. Ky është një transformim i vërtetë që po ndodh,” theksoi ai.

Balla përfundoi fjalën e tij duke nënvizuar se vetëm Partia Socialiste mund të garantojë vazhdimin e këtij transformimi në bujqësi: “Transformimin e bujqësisë në Shqipëri mund ta bëjë vetëm PS. Ne kemi vizionin, përkushtimin dhe rezultatet konkrete që flasin vetë.”