Vendosni fjalën kyçe....

 Platforma e Alibeajt për bashkimin e PD-së: Rikthehen të përjashtuarit, por Berisha e Basha s’mund të marrin drejtimin


Zbardhet platforma e propozuar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Aliebaj ku parashtrohen disa opsione për zgjidhjen e krizës dhe bashkimin e kësaj force politike.

Siç raporton “ABC”, ai iu ka dorëzuar demokratëve një dokument me gjashtë pika, zbatimi i të cilave do të çojë në bashkimin e Partisë Demokratike.

Pika e parë e këtij dokumenti lidhet me denoncimin e gjuhës së urrejtjes nga të gjitha palët ndaj çdokujt në parti, në mënyrë që më pas të shkohet drejt bashkimit.

Ky propozim, nëse do të merret parasysh nga Grupi Parlamentar, i ndërpret rrugën e rikandidimit ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Lulzim Bashës.

Megjithatë kërkohet rikthimi i të përjashtuarve në parti si dhe anulimi i zgjedhjeve të njëanshme në bazë.

Platforma e plotë

PLATFROMË PARIMESH PËR BASHKIMIN E DEMOKRATËVE

Aplikimi i parimeve të mëposhtme në vlerësimin e ne deputetëve të Grupit Parlamentar të PD sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë bashkimit të demokratëve, që është interesi i vetëm politik dhe elektoral i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

1.Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga cdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.

2.Anëtarët e Grupit Parlamentar të përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, rikthehen në grup, si anëtar me të drejta të plota.

3.Anullohet cdo proces i njënashëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.

4.Grupi Parlamentar ngre një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e bashkimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posacme të Grupit Parlamentar.

5.Grupi i Punës i ngritur nga Grupi Parlamentar përcakton strukturat zbatuese të këtij plani ribashkimi. Zbatimi i këtij plani administrohet tërësisht në qendër nga GPPD, kurse në nivel dege dhe ne nivel grupseksioni, realizohet nga grupe pune të përbashkëta të monitoruara nga GPPD. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:

Hapi 1: Certifikimi i anëtarsisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga çdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.

Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, cështja zgjidhet nga GPPD.

Hapi 3: Më pas zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë. Marrja e propozimeve për kryetar të PDSH, percaktimi i kritereve të kandidimit dhe filtrimi i kandidaturave të bëhet nga grupi parlamentar me votë të fshehtë. Të drejtën për të kandiduar e ka çdo demokrat anëtar i PD-së që plotëson kriteret e përcaktuara, përveç kandidatëve të mundshëm të cilët kanë mbajtur për dy mandate pozicionin e “Kryetarit të PDSH-së”, dhe/ose që nuk kanë fituar në dy Zgjedhje për Kuvend, gjatë kohës kur kanë mbajtur pozicionin e “Kryetari të PDSH-së”.

6. Grupi Parlamentar ngre grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.