Vendosni fjalën kyçe....

Dy cisterna nafte përplasen dhe marrin flakë pranë Ngushticës së Hormuzit


Dy cisterna nafte u përplasën dhe morën flakë të martën pranë Ngushticës së Hormuzit, një zonë strategjike ku ndërhyrjet elektronike janë shtuar gjatë konfliktit mes Iranit dhe Izraelit. Fatmirësisht, nuk u raportuan lëndime të ekuipazhit apo derdhje nafte, përcjell JP.

Sipas Rojës Bregdetare të Emirateve të Bashkuara Arabe, 24 persona u evakuuan nga anija Adalynn dhe u dërguan në portin Khor Fakkan, pas përplasjes që ndodhi 24 milje detare larg bregut lindor të Emirateve.

Anija e dytë, Front Eagle, kishte në bord 2 milionë fuçi naftë bruto nga Iraku dhe ishte në rrugë për në Zhoushan, Kinë. Sipas pronarit të saj, kompanisë Frontline, ekuipazhi ishte i sigurt dhe nuk u raportua ndotje pas zjarrit në kuvertë.

Front Eagle po lëvizte me një shpejtësi prej 13.1 nyje, kur bëri një kthesë djathtas, duke u përplasur me pjesën e pasme të Adalynn, e cila po lëvizte me 4.8 nyje drejt juglindjes.

Ngushtica e Hormuzit është një lidhje strategjike midis Gjirit Persik dhe Detit Arab, ku kalojnë rreth 17.8 deri në 20.8 milionë fuçi naftë në ditë.

Ndërkohë, Qendra e Informacionit e Forcës së Përbashkët Detare të udhëhequr nga SHBA ka raportuar ndërhyrje elektronike pranë Portit Bandar Abbas dhe zonave të tjera në rajon.

Irani nuk ka komentuar ende mbi përplasjen apo raportet për ndërhyrje elektronike.