Vendosni fjalën kyçe....

Protesta kundër ICE në Spokane, kryebashkiakja: Zemra ime është me komunitetet që ndihen të ndara


Kryebashkiakja e Spokane, Uashington, Lisa Brown deklaroi të mërkurën mbrëma se në qytet po rritet ndjeshëm frika brenda komuniteteve të emigrantëve dhe refugjatëve, mes protestave të ashpra kundër Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE).

“Zemra ime është me komunitetet që ndihen të ndara apo të frikësuara ndërsa përpiqen të jetojnë jetën e tyre në Spokane,” u shpreh Brown gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët lokalë për të gjetur mënyra mbështetjeje për qytetarët e prekur.

Qindra protestues mbushën rrugët e qytetit të mërkurën pasdite, duke mbajtur pankarta dhe duke bllokuar disa rrugë kryesore.

Protesta u zhvillua jashtë një objekti të ICE, ku demonstruesit kundërshtuan bastisjet dhe deportimet e mundshme të emigrantëve.

Policia e Spokane njoftoi se mbi 30 persona janë arrestuar gjatë protestës, ndërsa situata u përshkallëzua.

Për të garantuar sigurinë publike, më herët gjatë ditës, kryebashkiakja Brown shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe urdhëroi vendosjen e shtetrrethimit në disa zona të qytetit. Shtetrrethimi do të jetë në fuqi nga ora 21:30 deri në orën 05:00 të mëngjesit, sipas orës lokale.