
Kandidati i koalicionit opozitar PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore në Qarkun e Tiranës, Tedi Blushi, ka komentuar atmosferën e fushatës elektorale në një intervistë për News24, duke e cilësuar koalicionin si më të bashkuar se kurrë, pavarësisht sfidave politike dhe sulmeve mediatike.
Blushi ndaloi veçanërisht te roli i liderit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet nën masë sigurie, duke theksuar se ai po zhvillon një fushatë simbolike nga qelia.
“Ilir Meta po bën fushatë në kushte izolimi ekstrem. Përmes letrave ai vijon të komunikojë me mbështetësit. E ka kthyer qelinë në një llogore kundër regjimit,” u shpreh Blushi, duke e cilësuar Metën si një simbol frymëzimi për opozitën.
I pyetur për deklaratat kritike të Monika Kryemadhit në drejtim të tij, Blushi preferoi të mos i komentojë.
“Nuk dua të merrem me provokime, veçanërisht në ditët e fundit të fushatës. Kush jam unë e dinë të gjithë. Kam një jetë modeste dhe një synim të qartë: fitoren,” theksoi ai.
Blushi nënvizoi se koalicioni opozitar ka një qëllim të përbashkët: rrëzimin e qeverisë Rama dhe rikthimin e demokracisë. Sipas tij, fushata do të përmbyllet me një fitore domethënëse më 11 maj.