Vendosni fjalën kyçe....

Rama u përgjigjet qytetarëve në Sy m’sy: Arsimi sot s’krahasohet me atë që gjetëm, investimet do të vijojnë


Kryeministri Edi Rama, në rubrikën e tij të përjavshme “Sy më sy”, ka reaguar ndaj një komenti që ngrinte shqetësimin për mungesën e fëmijëve në shkolla.

Në përgjigjen e tij, Rama theksoi se në momentin kur Partia Socialiste mori pushtetin, mbështetja për arsimin ishte pothuajse zero. Sot, sipas tij, janë 238 mijë nxënës që përfitojnë libra falas, ndërsa paga e mësuesve është dyfishuar – nga 420 euro në 950 euro, dhe do të arrijë në 1250 euro brenda mandatit të katërt të PS.

“Dikur shkolla ishte një mysybet, sot 238 mijë nxënës marrin libra falas, e ti thua s’ka fëmijë. Paga e mësuesit ishte 420 euro, sot është 950 dhe brenda këtij mandati do të shkojë në 1250 euro,” tha Rama.

Ai shtoi se investimet në infrastrukturën arsimore do të vijojnë. Deri në fund të mandatit të ardhshëm pritet të ndërtohen edhe 200 shkolla të reja përveç 430-ve ekzistuese, ndërsa numri i laboratorëve inteligjentë do të arrijë në 1000, duke garantuar akses për çdo nxënës.

“Do të krijojmë edhe një sistem të transportit publik për nxënësit, që të mbështesim falas fëmijët që e kanë të nevojshme. Dikur palestrat numëroheshin me gishta, sot kemi mbi 200 palestra nëpër shkolla dhe mbi 12 mijë fëmijë të përfshirë në aktivitete sportive,” shtoi kryeministri.